Secondary Adv

Anëtarët e rinj të BE, 15 vite në provë: Nëse mashtrojnë, humbin fondet dhe votën

Vendet që do t'i bashkohen Bashkimit Europian në të ardhmen mund t'i nënshtrohen një periudhe 15-vjeçare mbikëqyrjeje të posaçme pas anëtarësimit.

Komisioni Europian ka propozuar mekanizma të rinj mbrojtës, që parashikojnë pezullimin e fondeve europiane dhe, në rastet më të rënda, të së drejtës së votës për shtetet që shkelin parimet e shtetit të së drejtës dhe vlerat e BE-së.


Komisioni Europian prezantoi të martën një paketë propozimesh që synon forcimin e garancive për vendet e reja anëtare, si dhe krijimin e procedurave të reja për integrimin gradual të vendeve kandidate përpara anëtarësimit të plotë.


Qëllimi është të shmangen situatat kur ndryshimet politike në një shtet të sapoanëtarësuar mund të pengojnë vendimmarrjen ose funksionimin e Bashkimit Europian.


“Jam kritikuar shumë kur thashë për herë të parë se nuk dua të shoh kuaj të rinj trojanë në Bashkimin Europian. Kjo ishte ende para zgjedhjeve në Hungari. Sot mund të them: jo më Viktor Orbán”, deklaroi Komisionerja Europiane për Zgjerimin, Marta Kos.


Mekanizma të rinj për pezullimin e fondeve dhe të drejtës së votës

Në qershor, pesë vende themeluese të BE-së kërkuan forcimin e garancive në traktatet e ardhshme të anëtarësimit, me qëllim që rastet e regresit demokratik dhe shkeljeve të vlerave europiane të trajtohen më shpejt.


Komisioni Europian po e çon përpara këtë propozim, duke argumentuar se përvoja me Hungarinë ka nxjerrë në pah kufizimet e nenit 7 të Traktatit të BE-së. Ky nen mundëson pezullimin e disa të drejtave të një shteti anëtar që shkel vlerat e Bashkimit, por procedura konsiderohet e ngadaltë dhe jo gjithmonë efektive.


Për këtë arsye, propozohet krijimi i një mekanizmi të ri që do të funksiononte paralelisht me nenin 7. Ai mund të përdorej për pezullimin e fondeve europiane dhe, në rastet më serioze, të së drejtës së votës për vendet e reja anëtare që veprojnë në kundërshtim me shtetin e së drejtës, vlerat e BE-së ose parimin e bashkëpunimit të sinqertë.


Komisioni përmend qëndrimin e Hungarisë ndaj Ukrainës si një nga shembujt e problematikave në vendimmarrje. Budapesti fillimisht ra dakord që Ukrainës t'i jepej statusi i vendit kandidat, por më pas bllokoi avancimin e procesit.


“Pasi biem dakord për një objektiv, të gjithë duhet të punojmë për të njëjtin objektiv”, deklaroi Kos.

Mekanizmi i propozuar do të mund të zbatohej për 15 vjet pas anëtarësimit dhe vetëm në rastet e shkeljeve serioze që ndikojnë në funksionimin e Bashkimit Europian. Masat do të ishin proporcionale, ndërsa pezullimi i së drejtës së votës do të përdorej vetëm për shkeljet më të rënda.


Procedura mund të nisej nga Komisioni Europian ose nga disa shtete anëtare, ndërsa vendimi përfundimtar do t'i takonte Këshillit. Megjithatë, propozimi nuk përcakton ende shumicën e nevojshme për miratimin e një vendimi të tillë.


Mekanizmat mbrojtës nuk janë një praktikë e re në procesin e zgjerimit. Traktatet e mëparshme të anëtarësimit kanë përfshirë klauzola për mangësi serioze në zbatimin e rregullave të tregut të brendshëm, drejtësisë dhe ekonomisë. Komisioni kërkon që këto klauzola, të cilat më parë kanë pasur një afat trevjeçar, të zgjaten, pa përcaktuar ende kohëzgjatjen e re.


Kufizime për përdorimin e vetos në mosmarrëveshjet dypalëshe

Në traktatet e ardhshme të anëtarësimit, Komisioni Europian kërkon gjithashtu që vendet e reja të angazhohen të mos përdorin kërkesën për unanimitet në çështjet e zgjerimit si mjet për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve dypalëshe.


Si shembull përmendet Bullgaria, e cila vijon të bllokojë procesin e anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut për shkak të mosmarrëveshjeve dypalëshe, përfshirë kërkesën e Sofjes për ndryshime kushtetuese.


Një pjesë e propozimeve do të kërkojë miratimin e shteteve anëtare. Megjithatë, Komisioni synon që mekanizmat e rinj mbrojtës t'i përfshijë që në fillim të nëntorit në qëndrimin e BE-së për kapitullin e fundit negociues të Malit të Zi.


Integrim gradual për vendet kandidate përpara anëtarësimit

Paketa e Komisionit Europian përfshin edhe konceptin e integrimit gradual, të propozuar më herët nga Franca dhe Gjermania. Kjo qasje synon t'u mundësojë vendeve kandidate të përfitojnë nga disa elemente të anëtarësimit përpara se të bëhen zyrtarisht pjesë e Bashkimit Europian.


“Kjo nuk është zëvendësim për anëtarësimin e plotë. Synimi është vetëm që vendet që performojnë mirë të mund të integrohen më herët në ato politika apo sisteme të Bashkimit Europian ku kanë bërë përparim”, deklaroi Kos.


Integrimi gradual do të zbatohej në fusha me interes të përbashkët për vendet anëtare dhe ato kandidate, si siguria e zinxhirëve të furnizimit dhe siguria energjetike.


Vendet kandidate mund të përfshihen më herët në programe europiane si Erasmus+ dhe Horizon Europe, të marrin mbështetje nga agjenci si Frontex, të integrohen pjesërisht në tregun e përbashkët dhe të marrin pjesë në projekte të lidhshmërisë. Gjithashtu, ato mund të përfitojnë statusin e vëzhguesit në grupe ekspertësh dhe institucione të ndryshme europiane.


Një formë më e avancuar integrimi parashikohet për vendet që janë në përputhje me qëndrimet e Brukselit për çështjet strategjike dhe përmbushin kriteret e shtetit të së drejtës.


Komisioni pranon se disa forma të integrimit të hershëm ekzistojnë tashmë, por synon që procesi të bëhet më sistematik dhe të përshtatet me përparimin e secilit vend kandidat, përmes dialogut të strukturuar dhe financimit të posaçëm.


Kontrolle më të forta përpara anëtarësimit në BE

Në fushën e qeverisjes, Komisioni Europian kërkon zgjerimin e raporteve vjetore për shtetin e së drejtës në më shumë vende kandidate, si dhe hartimin e rekomandimeve më konkrete për përafrimin me standardet demokratike të Bashkimit Europian.


Synimi është forcimi i institucioneve të pavarura që zbatojnë ligjin dhe përgatitja e vendeve kandidate për t'u përfshirë menjëherë pas anëtarësimit në Zyrën e Prokurorit Publik Europian.


Nëse gjatë procesit evidentohen probleme serioze, mund të merren masa që shkojnë deri në shtyrjen e datës së anëtarësimit.


Brukseli synon gjithashtu të testojë përpara anëtarësimit kapacitetet e vendeve kandidate për zbatimin e rregullave europiane në fusha prioritare, përfshirë menaxhimin e kufijve, mbikëqyrjen e tregut të përbashkët, standardet e sigurisë ushqimore, rrjetet e transportit dhe administrimin e fondeve të kohezionit.


Në sektorë të caktuar, si bujqësia dhe lëvizja e fuqisë punëtore, do të negociohen periudha të posaçme tranzitore. Përpara anëtarësimit do të kontrollohen gjithashtu procedurat e prokurimit publik, auditimi i pavarur dhe kapacitetet institucionale për parandalimin dhe luftimin e mashtrimit.


Burimi: Euronews


Më të lexuarat